Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka reaguar pas incidentit të ndodhur një ditë më parë pranë Kuvendit, ku sipas tij u rrethua nga një grup protestuesish pas përfundimit të seancës parlamentare.
Në një deklaratë publike, Bido tha se fillimisht kishte komunikuar normalisht me disa pjesëmarrës në protestë, por më pas situata ndryshoi me ardhjen e një grupi që, sipas tij, u soll në mënyrë agresive dhe përdori fyerje ndaj tij.
“Teksa dilja nga Parlamenti dje, ndalova te disa protestues duke komunikuar normalisht. Më vonë erdhi një grup i madh agresiv, me fyerje dhe dhunë”, deklaroi deputeti socialist.
Bido theksoi se gjatë aktivitetit të tij publik është përpjekur të shmangë gjuhën fyese dhe etiketimet pa prova, duke argumentuar se shoqëria shqiptare nuk ka nevojë për më shumë tension dhe agresivitet në debatin publik.
Sipas tij, sjellja e grupit që e rrethoi ishte e ndryshme nga ajo e protestuesve të tjerë, të cilët, siç u shpreh ai, zhvillojnë protesta paqësore dhe madje kujdesen për pastrimin e ambienteve pas përfundimit të tubimeve.
“Ajo që pashë dje ishte që një grup njerëzish, të nxitur nga arritje të vogla ose të mëdha, shkojnë drejt dhunës, ndryshe nga ata që mbledhin mbeturinat në fund të mitingut. Këtë nuk duhet ta pranojmë”, tha Bido.
Deputeti shtoi se nuk ndihet i frikësuar nga ngjarja, por e konsideroi shqetësues normalizimin e sjelljeve agresive në hapësirën publike.
“Mua nuk më tremb kjo gjë, sepse në vendin tim nuk kam frikë se ku shkoj dhe ku eci. Ky është destabilizim”, përfundoi ai.
Ngjarja vjen në një klimë të tensionuar politike, ndërsa protestat qytetare në Tiranë kanë vijuar prej disa javësh dhe janë shoqëruar me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës.
