Partia e Lirisë ka ngritur alarmin për fenomenin e shpopullimit në Shqipëri, duke e cilësuar atë si dështimin më të madh të politikave qeverisëse gjatë më shumë se një dekade.
Në një deklaratë për mediat, zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, tha se të dhënat e fundit mbi tkurrjen e popullsisë, veçanërisht në zonat veriore të vendit, konfirmojnë një realitet shqetësues që po prek të gjithë Shqipërinë.
Sipas saj, emigracioni masiv i të rinjve dhe familjeve shqiptare është pasojë e mungesës së mundësive ekonomike, rritjes së kostos së jetesës dhe mungesës së perspektivës për të ardhmen.
“Shqipëria po zbrazet. Ky fenomen nuk kufizohet vetëm në Veriun e vendit, por është shtrirë në pothuajse të gjithë territorin, duke prekur qytetet, fshatrat, ekonominë, arsimin dhe vetë perspektivën e zhvillimit kombëtar”, deklaroi Haxhiu.
Ajo theksoi se shpopullimi përbën treguesin më të qartë të dështimit të politikave ekonomike dhe sociale të qeverisë, duke argumentuar se largimi i qytetarëve është rezultat i pasigurisë, pabarazisë dhe mungesës së besimit tek institucionet.
Sipas Partisë së Lirisë, pas më shumë se një dekade qeverisjeje, vendi përballet me pasoja të rënda sociale dhe demografike, ndërsa shumë zona po boshatisen me ritme të shpejta.
Haxhiu lidh gjithashtu protestën qytetare që po zhvillohet në Tiranë me këtë fenomen, duke e konsideruar atë si një reagim ndaj mungesës së përgjigjeve institucionale për problemet reale të qytetarëve.
“Kjo protestë është një zë kundër indiferencës së qeverisë ndaj problemeve reale të qytetarëve dhe një thirrje për politika që vendosin në qendër familjen shqiptare, të rinjtë dhe të ardhmen e vendit”, u shpreh ajo.
Partia e Lirisë thekson se ndalimi i shpopullimit është një prioritet kombëtar dhe pjesë e programit të saj politik. Sipas saj, vendi ka nevojë për politika që mbështesin familjet e reja, nxisin punësimin, rrisin pagat, fuqizojnë ekonominë familjare dhe krijojnë kushte që shqiptarët të zgjedhin të jetojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre.
Në përfundim, Partia e Lirisë deklaron se do të vazhdojë të mbështesë çdo nismë qytetare që synon zhvillimin, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe krijimin e më shumë shpresës për shqiptarët.
