Detaje të reja kanë dalë nga megaoperacioni i SPAK kundër një organizate kriminale që sipas hetimeve drejtohej nga Shpëtim Aliu.
Sipas materialeve hetimore të publikuara, një pjesë e rëndësishme e provave lidhet me komunikimet e përgjuara mes Shpëtim Aliut dhe Sokol Bibajt, të cilat, sipas prokurorëve, hedhin dritë mbi përmasat e aktivitetit të dyshuar kriminal dhe trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Nga bisedat e dokumentuara rezulton se në vitin 2020 Aliu i komunikon Bibajt se kishte krijuar mundësinë për të dërguar nga 1 deri në 2 tonë kokainë në javë.
Në një tjetër komunikim të cituar në dosjen hetimore, Sokol Bibaj pretendohet t’i jetë përgjigjur duke deklaruar se aktiviteti i tij arrinte deri në 8 tonë.
Po ashtu, në një bisedë të datës 30 tetor 2020, sipas dokumenteve të hetimit, Bibaj shprehet: “Do e drogojnë Europën”, një frazë që SPAK e konsideron si tregues të përmasave dhe objektivave të rrjetit të dyshuar kriminal.
Hetimi është pjesë e një operacioni më të gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, ku janë përfshirë bashkëpunime me autoritete ligjzbatuese të disa vendeve.
Megjithatë, personat e përmendur në dosje gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë, ndërsa provat e paraqitura nga SPAK do t’i nënshtrohen shqyrtimit në procesin gjyqësor.
