Një shtëpi e pabanuar në fshatin Kosovë e Vogël të Lushnjes është përfshirë nga flakët pasditen e sotme, duke shkaktuar alarm në zonë.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Lushnjes, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit, si dhe efektivë të Policisë së Shtetit. Pas disa minutash ndërhyrjeje, flakët janë vënë nën kontroll, duke shmangur përhapjen e tyre në banesat përreth.
Sipas të dhënave paraprake, banesa është në pronësi të shtetasit Fiqiri Nexha dhe prej vitesh ishte e braktisur, pasi pronari nuk jetonte më aty. Ai kishte lënë porosi tek një fqinj që të kujdesej për shtëpinë, duke qenë se e vizitonte shumë rrallë.
Ka qenë pikërisht fqinji ai që ka konstatuar zjarrin dhe ka njoftuar menjëherë zjarrfikëset. Policia ka nisur veprimet procedurale dhe po heton shkaqet e ngjarjes, ndërsa dyshimet paraprake flasin për një zjarrvënie të qëllimshme.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të identifikuar autorët e mundshëm të këtij akti.
