Karabinierët italianë kanë çmontuar një bandë shqiptarësh të njohur si “skifterët”, të cilët ishin kthyer në makthin e banorëve në zonën e Ankonës, për shkak të vjedhjeve të njëpasnjëshme në banesa.
Operacioni u zhvillua në Osimo, ku u arrestuan tre të rinj shqiptarë, të skeduar më parë për krime të ngjashme. Ndërhyrja erdhi pas një vale ankesash nga qytetarët, ndërsa forcat e rendit kishin nisur ndjekjen dhe vëzhgimin e tyre që prej datës 19 dhjetor në zonat Val Musone dhe Vallesina.
Të dyshuarit u kapën teksa udhëtonin me një automjet me qira, pasi kishin kryer vjedhje në disa qytete, mes tyre Castelbellino, Cupramontana dhe Chiaravalle. Ata po ktheheshin drejt Castelfidardo, ku qëndronin prej disa ditësh, kur u bllokuan nga karabinierët, në bashkëpunim me Batalionin e Katërt të Mestres.
Gjatë kontrollit, policia gjeti një sasi të madhe sendesh të vjedhura: rreth 100 objekte me vlerë, 23 ora dore – përfshirë marka luksoze – çanta firmato, rreth 600 euro cash, si dhe fenerë dhe mjete të specializuara për vjedhje me thyerje.
Hetimet zbuluan se shumë prej mallrave të sekuestruara lidhen drejtpërdrejt me vjedhjet e fundit në zonë. Pronarët e banesave të grabitura i kanë identifikuar menjëherë sendet si të tyret, duke konfirmuar aktivitetin kriminal të grupit.
Një tjetër detaj që rëndon pozitën e të arrestuarve është zbulimi i dy palë targave të klonuara në automjetin e tyre, të destinuara për makina të të njëjtit model, me qëllim shmangien e identifikimit nga kamerat dhe sistemet e kontrollit rrugor.
Tre shqiptarët u arrestuan në flagrancë dhe u dërguan në paraburgim, ndërsa pritet seanca për vërtetimin e masës së sigurisë. Autoritetet dyshojnë se banda është e përfshirë edhe në grabitje të tjera në zona të ndryshme të Italisë, çka pritet të zbardhet në vijim të hetimeve.
