Forumi i Dialogut Politik zhvilloi një takim me kryetarin e partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, dhe përfaqësues të aktivizmit qytetar, në kuadër të përgatitjeve për tryezën e dialogut politik që pritet të organizohet së shpejti.
Palët u dakordësuan në parim për domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes të gjithë faktorëve opozitarë, me synim demokratizimin e vendit dhe garantimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe konkurruese. Gjatë diskutimeve u theksua nevoja për krijimin e një fronti të gjerë qytetar, ku të përfshihen jo vetëm partitë opozitare, por edhe intelektualë të pavarur, aktivistë të shoqërisë civile dhe individë të paangazhuar politikisht.
Përfaqësuesit e “Shqipëria Bëhet” paraqitën propozimet e tyre kryesore, duke vënë theksin në tre shtylla: krijimin e një qeverie tranzitore, realizimin e një reforme të thellë zgjedhore dhe ngritjen e një tryeze përfaqësimi pa kryetarë partie. Sipas tyre, një format i tillë shmang personalizimin e procesit politik dhe i jep përparësi përfaqësimit real, ideve dhe vullnetit qytetar.
Takimi u vlerësua si një hap i parë drejt ndërtimit të një platforme të përbashkët opozitare dhe qytetare, në një moment të tensionuar politik dhe me kërkesa të shtuara për ndryshim të modelit të qeverisjes.
