Një avion i kompanisë ajrore Southwest Airlines është detyruar të bëjë ulje emergjente në aeroportin ndërkombëtar Hartsfield-Jackson në Atlanta, pas një alarmi sigurie të shkaktuar nga një pasagjer gjatë fluturimit.
Bëhet fjalë për fluturimin 2094, i cili ishte nisur nga Nashville drejt Fort Lauderdale, por ndryshoi kurs të premten në mbrëmje për shkak të incidentit në bord.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, alarmi u ngrit pasi një pasagjer ngriti dyshime për një çështje sigurie, ndërsa detajet e sakta të ngjarjes nuk janë konfirmuar ende nga autoritetet.
Video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentet e tensionit brenda avionit, ku pasagjerëve u kërkohet të qëndrojnë në vendet e tyre me duart lart dhe kokën poshtë.
Disa pasagjerë kanë pretenduar se në avion ishte bërë një kërcënim për bombë, gjë që shkaktoi panik në kabinë.
Avioni u ul në mënyrë të sigurt në aeroportin e Atlantës rreth orës 21:00. Pas uljes, oficerë të policisë hynë në avion dhe arrestuan një burrë, i cili u shoqërua me pranga jashtë avionit.
Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende nëse në avion u gjet ndonjë objekt i rrezikshëm apo nëse pasagjeri i ndaluar do të përballet me akuza penale.
Incidenti ndodh në një moment tensioni të lartë ndërkombëtar, pas zhvillimeve të fundit në konfliktin mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
