Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka dhënë një mesazh të fortë gjatë konferencës së Unionit Kristian Social (CSU) në Mynih, duke paralajmëruar se Bashkimi Evropian mund të përballet me kërcënime të reja nga Rusia nëse Ukraina nuk qëndron.
Merz theksoi se bota ndodhet në një fazë ndryshimesh strukturore, dhe se epoka e “Pax Americana” ka marrë fund, ndërsa SHBA-të po mbrojnë interesat e tyre me forcë, duke detyruar Evropën të bëjë të njëjtën gjë.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë dhe aneksimit të Krimesë në 2014, kancelari paralajmëroi:
“Nëse Rusia arrin qëllimet e saj në Ukrainë, Bashkimi Evropian mund të jetë objektivi i radhës. Nuk jam i gatshëm të rrezikoj periudhën më të gjatë të paqes që ka njohur kontinenti ynë.”
Merz renditi katër prioritete kryesore të qeverisë së tij:
- Mbështetjen e Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
- Forcimin e kohezionit brenda BE-së dhe NATO-s.
- Investime të mëdha në kapacitetet mbrojtëse.
- Përgatitjen e të rinjve për shërbim ushtarak, fillimisht vullnetar, por me mundësinë e ndryshimeve në të ardhmen.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e ristrukturimit të thellë ekonomik të Gjermanisë dhe rikthimit të konkurrueshmërisë së vendit, duke e cilësuar procesin si një “rinovim nga themelet” që kërkon kohë dhe bashkëpunimin e qytetarëve.
