Kompania MABCO Construction SA, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli, i është drejtuar me një letër zyrtare ministrit të Infrastrukturës, Enea Karakaçi, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve për të garantuar hyrjen e punonjësve dhe nënkontraktorëve në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Në dokument, presidenti i kompanisë, Emin Pacolli, kërkon që të merren masa për të mundësuar rifillimin e punimeve të mbetura në terminal dhe nisjen e procesit të certifikimit të aeroportit.
“Në ushtrim të kompetencave tuaja ligjore, të ndërmerrni të gjitha masat e nevojshme për të mundësuar hyrjen e menjëhershme në kantier të personelit të MABCO-s dhe të nënkontraktorëve të saj, me qëllim përfundimin e punimeve të mbetura në terminal dhe fillimin pa vonesë të procesit të certifikimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës”, thuhet në kërkesë.
Sipas kompanisë, prej më shumë se gjashtë javësh hyrja në aeroport dhe në terminal është bllokuar nga roje private, mjete të rënda dhe barrikada, të cilat, sipas saj, kontrollohen nga grupe që veprojnë pa bazë ligjore.
Në letër pretendohet gjithashtu se gjatë kësaj periudhe janë regjistruar akte vandalizmi, dëmtime të aseteve, zhdukje të pajisjeve dhe mjeteve të punës, duke shkaktuar rritje të kostove dhe vonesa në përfundimin e projektit.
“Për këtë arsye, ju kërkojmë të ndërmerrni masat e nevojshme për largimin e menjëhershëm të çdo pengese të paligjshme, rikthimin e kontrollit ligjor mbi kantierin dhe krijimin e kushteve që MABCO të rifillojë menjëherë punimet”, thuhet më tej në dokument.
Kompania deklaron se disponon kapacitetet financiare, teknike dhe logjistike për të përfunduar projektin, ndërsa thekson se partnerët ndërkombëtarë, përfshirë DAA International, janë të gatshëm të nisin menjëherë procedurat operacionale dhe procesin e certifikimit sapo të rikthehen kushtet normale të punës.
Në fund të letrës, MABCO thekson se i është drejtuar vazhdimisht institucioneve shtetërore që prej tetorit të vitit të kaluar me kërkesën për zbatimin e ligjit, respektimin e kontratës së koncesionit dhe të vendimit të Gjykatës së Lartë, duke paralajmëruar se çdo ditë vonesë sjell pasoja teknike, financiare, kontraktore dhe reputacionale për projektin dhe interesin publik.
Kujtojmë se kompanitë kontraktore MABCO dhe 2A Group ndodhen në përfundim të afatit 30-ditor të vendosur nga Ministria e Infrastrukturës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, ndërsa ministri Karakaçi ka paralajmëruar gjoba për çdo ditë vonese dhe, nëse situata nuk zgjidhet, edhe mundësinë e prishjes së kontratës koncesionare.
