ZDF: Mijëra shqiptarë protestojnë prej një muaji kundër qeverisë Rama dhe projektit në Zvërnec

Data

Televizioni publik gjerman ZDF i ka kushtuar një raport zhvillimeve të fundit në Shqipëri, duke pasqyruar protestat që po zhvillohen prej gati një muaji në Tiranë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe projektit të planifikuar për ndërtimin e një resorti luksoz në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.

Sipas ZDF, mijëra qytetarë u mblodhën sërish në kryeqytet për të kundërshtuar projektin, ndërsa protestuesit akuzojnë qeverinë për korrupsion, mungesë transparence dhe favorizim të investimit.

“Në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, të shtunën në mbrëmje mijëra njerëz kanë protestuar sërish kundër një projekti të planifikuar për një kompleks luksoz në bregdetin e Adriatikut”, shkruan media gjermane.

Raporti thekson se resorti është planifikuar të ndërtohet në një zonë të mbrojtur pranë Zvërnecit dhe se investimi lidhet me një kompani të Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit amerikan Donald Trump.

ZDF citon shqetësimet e organizatave mjedisore, të cilat paralajmërojnë se zona përbën habitat për më shumë se 200 lloje shpendësh, përfshirë flamingot dhe pelikanin kaçurrel, specie e rrezikuar.

Sipas medias gjermane, aktivistët kritikojnë ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2024, të cilat, sipas tyre, kanë hapur rrugën për ndërtimin e resorteve luksoze në zonat e mbrojtura. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare i ka cilësuar këto ndryshime si një sqarim të statusit të mbrojtjes.

“Prej gati një muaji ka protesta të përsëritura. Protestuesit e akuzojnë qeverinë e kryeministrit Edi Rama, ndër të tjera, për korrupsion dhe mungesë transparence, si edhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. Ai dhe qeveria e tij, pavarësisht protestave, i janë përmbajtur projektit të zhvillimit të pasurive të paluajtshme”, thuhet në raportimin e ZDF.

Protestat kundër projektit në Zvërnec dhe kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit kanë vijuar gjatë javëve të fundit, ndërsa debati mbi zhvillimin e zonave të mbrojtura mbetet në qendër të diskutimit publik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related