Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka shpërndarë gjatë vitit 2025 mbi 160 milionë lekë për institucionet ligjzbatuese, duke financuar projekte në mbështetje të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë publike.
Sipas të dhënave zyrtare, institucionet e drejtësisë – përfshirë GJKKO dhe Prokurorinë e Përgjithshme – përfituan mbi 115 milionë lekë. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit mori 28.8 milionë lekë për mbështetje logjistike, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve përfitoi mbi 16.3 milionë lekë për përmirësimin e kushteve penitenciare.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ishte transferimi i 10 milionë eurove në buxhetin e shtetit, si rezultat i administrimit dhe konfiskimit të aseteve të paligjshme. Paralelisht, vetë AAPSK u mbështet me 20 milionë lekë për rritjen e kapaciteteve administrative dhe operacionale.
Për vitin 2026, Komiteti Ndërinstitucional ka miratuar projekte të reja financimi, ku përfshihen:
- 119 milionë lekë për Burgjet;
- 5 milionë lekë për Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë;
- disa projekte për Policinë e Shtetit, përfshirë mbi 44 milionë lekë dhe 100 mijë euro;
- financime për SPAK në vlerë 3.3 milionë euro, 1.8 milionë euro dhe mbi 121 milionë lekë.
Në total, projektet në proces përfshijnë disa milionë euro dhe mbi 280 milionë lekë, duke reflektuar një strategji ku fondet e rikuperuara nga pasuritë e konfiskuara riinvestohen për forcimin e institucioneve që luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.
