Një ngjarje e rëndë familjare ka tronditur qytetin Cavarzere, në Itali, ku një 43-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë ndaj bashkëshortes së tij.
Sipas autoriteteve italiane, episodi ndodhi mbrëmjen e 1 janarit, brenda banesës ku çifti jetonte së bashku. Pas një debati për arsye të parëndësishme, burri dyshohet se humbi kontrollin, duke kërcënuar gruan me vdekje dhe më pas duke hedhur lëndë të djegshme mbi rrobat e saj dhe në ambientin e kuzhinës, me qëllim që t’i vinte zjarrin.
Situata u bë dramatike, por një ndërhyrje vendimtare e djalit të mitur të çiftit shmangu tragjedinë. Duke përfituar nga një moment shpërqendrimi i të atit, fëmija arriti t’i merrte çakmakun dhe të fitonte kohë deri në mbërritjen e forcave të rendit.
Karabinierët ndërhynë menjëherë dhe arrestuan 43-vjeçarin në flagrancë. Nga hetimet e para rezultoi se ky nuk ishte një rast i izoluar, por pjesë e një zinxhiri të gjatë dhune dhe presioni psikologjik, i cili nuk ishte denoncuar më parë nga viktima.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet, ndërsa gruaja dhe fëmija ndodhen nën mbrojtje. Rasti ka rikthyer në vëmendje problemin e dhunës në familje dhe rrezikun e heshtjes përballë abuzimeve të përsëritura.
