Ish-kandidatja për drejtimin e Partisë Demokratike kërkon rishqyrtim të vendimit dhe vijon betejën ligjore ndaj procesit zgjedhor të 23 majit
Mereme Sela ka vijuar betejën ligjore për procesin zgjedhor brenda Partisë Demokratike, duke ankimuar në Gjykatën e Apelit në Tiranë vendimin e pushimit të çështjes nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Sela kishte kundërshtuar zhvillimin e zgjedhjeve për kryetarin e PD-së të mbajtura në muajin maj, duke kërkuar pezullimin e procesit, moslejimin e kandidimit të Sali Berishës dhe rikthimin e saj në garën për drejtimin e partisë.
Pas vendimit të parë të Gjykatës së Shkallës së Parë për kthimin e padisë, çështja u dërgua për rishqyrtim në Apel. Ky i fundit ia riktheu dosjen gjykatës së parë, e cila më pas vendosi pushimin e procedimit me argumentin se objekti i shqyrtimit ishte i njëjtë.
Ky vendim është tashmë objekt i një tjetër ankimi nga Mereme Sela, e cila kërkon që çështja të shqyrtohet sërish nga Gjykata e Apelit.
U përjashtua nga gara për kreun e PD
Mereme Sela, mjeke me profesion, kishte shprehur interes për të garuar për postin e kryetarit të Partisë Demokratike. Aplikimi i saj fillimisht u pranua, ndërsa disa kandidatura të tjera, mes tyre ato të Ervin Salianjit, Alesia Balliut dhe Evi Kokalari, nuk u lejuan të vijonin procesin.
Megjithatë, më pas kandidatura e Selës nuk u legjitimua përfundimisht, me argumentin se nuk plotësonte kriteret e përcaktuara për garën.
Pas këtij vendimi, ajo iu drejtua gjykatës duke kërkuar rishikimin e procesit dhe rikthimin në garë.
Berisha ishte kandidati i vetëm
Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike u zhvilluan më 23 maj, ku kandidati i vetëm ishte Sali Berisha, i cili u shpall fitues i procesit.
Sela ka deklaruar më herët se do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të kundërshtuar atë që ajo e konsideron një proces të padrejtë dhe përjashtues.
Çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit në Tiranë, ndërsa beteja ligjore për mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve brenda PD-së vijon.
