Ish-ministrja Elisa Spiropali prezanton platformën politike: kërkon meritokraci, zgjedhje të brendshme demokratike, luftë ndaj korrupsionit dhe sistem proporcional me lista të hapura
Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka hapur një debat të fortë brenda shumicës qeverisëse pas publikimit të dokumentit të saj politik të titulluar “Marrëveshja e Re për Shqipërinë”. Platforma, e cila fillimisht iu dërgua Asamblesë Kombëtare të PS-së si një propozim për diskutim të brendshëm, synon një riorganizim të thellë të mënyrës së funksionimit të partisë dhe të shtetit.
Në dokument, Spiropali argumenton se çdo ndryshim për vendin duhet të nisë nga vetë Partia Socialiste, duke kërkuar një kulturë të re politike, më shumë demokraci të brendshme dhe një ndarje të qartë mes strukturave partiake dhe administratës publike.
Sipas saj, PS duhet të garantojë zgjedhje të lira dhe konkurruese në çdo nivel, pasi “asnjë funksion nuk duhet të jetë i përhershëm dhe asnjë përgjegjësi nuk duhet të jetë e pakonkurrueshme”.
Një nga pikat më të forta të platformës është kërkesa për meritokraci në promovimin politik, ku karriera të mos ndërtohet mbi afërsinë me pushtetin, por mbi integritetin, dijen dhe kontributin publik.
Spiropali kërkon gjithashtu që forumet e partisë të mos jenë struktura që vetëm miratojnë vendime, por hapësira ku të përballen ide dhe alternativa të ndryshme.
Ndarja e partisë nga shteti
Një tjetër element qendror i dokumentit është ndarja përfundimtare mes partisë dhe administratës publike.
“Administrata duhet t’i shërbejë ligjit dhe qytetarëve, jo cikleve politike apo individëve me pushtet”, shkruan Spiropali, duke kërkuar një shtet profesional dhe neutral.
Ajo thekson se një demokraci funksionale kërkon institucione që kontrollojnë pushtetin dhe jo një përqendrim të tij.
Drejtësia dhe korrupsioni
Në platformë i kushtohet një hapësirë e veçantë drejtësisë së pavarur dhe luftës kundër korrupsionit.
Spiropali shprehet se politika duhet të mësohet me “normalitetin e ri” ku drejtësia mund të hetojë këdo, pa mburoja politike.
Sipas saj, lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm çështje penale, por lidhet edhe me përgjegjësinë politike dhe standardet e qeverisjes.
Kërkesa për ndryshim të sistemit zgjedhor
Një nga propozimet konkrete të dokumentit është kalimi drejt një sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura.
Spiropali kritikon efektet e marrëveshjes politike të vitit 2008, duke argumentuar se modeli aktual nuk garanton mjaftueshëm përfaqësim dhe konkurrencë reale.
Sipas saj, Shqipëria ka nevojë për një sistem që rikthen besimin e qytetarëve te zgjedhjet dhe u jep më shumë hapësirë figurave të reja politike.
Dialog Kombëtar për një “kontratë të re besimi”
Në fund të dokumentit, Spiropali propozon hapjen e një procesi të gjerë dialogu me qytetarët, ekspertët, universitetet, biznesin, diasporën dhe forcat politike.
Ajo argumenton se Shqipëria nuk ka më nevojë vetëm për një kontratë elektorale, por për një “kontratë të re besimi” mes shtetit dhe qytetarit.
“Partia Socialiste ka mundësinë të fitojë nga vlera dhe jo nga forca. Të vendosim shtetin mbi partinë dhe Shqipërinë mbi gjithçka”, shkruan Spiropali në dokument.
Platforma e re ka hapur një debat të gjerë politik, pasi vjen në një moment kur PS përballet me kritika për mënyrën e ushtrimit të pushtetit, raportet me institucionet dhe hetimet e drejtësisë ndaj zyrtarëve të lartë.
