Në 3 Tetor 2024, i gjithë grupi parlamentar demokrat bllokoi hyrjen e Parlamentit, në formë reagimi për burgimin e kolegut të tyre, Ervin Salianji, si edhe në shenjë proteste për përjashtimin me nga 40 deri në 60 ditë të plot 24 ligjvënësve opozitarë.
Seanca plenare e asaj dite ishte në prag dështimi, pasi në sallë ishin vetëm 69 deputetë socialistë, një numër më i ulët se kuorumi i nevojshëm prej 71 të tillë.
Por, dy deputetë, të dalë nga lista e opozitës, por që përfaqësonin Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Nustret Avdulla dhe Gëzim Ademaj, arritën t’i përvidhen kordonit të demokratëve dhe hynë në sallë, duke krijuar kuorumin e nevojshëm dhe seanca vijoi normalisht.
Në atë ditë, Parlamenti nuk kishte në rend dite projekt-ligje të rëndësishme. Megjithatë, pjesëmarrja e dy deputetëve “opozitarë” në atë seancë, u përdor nga socialistët për të treguar se ata ishin në gjendje të siguronin shumicën e nevojshme edhe në kushtet e bllokimit nga demokratët.
Kjo ishte një “fitore” interesante për kryesocialistin dhe njëkohësisht kryeministrin Edi Rama, i cili duket se nuk ka harruar t’ia kthejë nderin, të paktën njërit prej tyre.
Për këtë “shërbim politik”, kryesocialisti Edi Rama e vendosi emrin e Nustret Avdullaj në listën e hapur të kandidatëve për deputetë në Qarkun e Fierit, në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025. Ai nuk arriti të fitojë mandatin e ligjvënësit, por, tashmë ka siguruar një leje të rëndësishme ndërtimi, me firmën e Edi Ramës.
Rama, leje për ish-deputetin
Në 16 Korrik 2025, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), nën drejtimin e kryeministrit Rama, ka marrë në shqyrtim kërkesën “Leje Ndërtimi për objektin: “Objekt banimi dhe shërbimi 5 dhe 8 kate mbi tokë me 1 kat nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën “Dino Kalenja”, Bashkia Fier, me subjekt zhvillues shoqërinë “Nba Cotto” sh.p.k”.
