Partia Demokratike ka nisur zyrtarisht procesin e përditësimit të listave të anëtarësisë, një nismë e paralajmëruar pak ditë më parë nga Sali Berisha. Procesi synon të përfundojë deri më 20 shkurt.
Sipas udhëzimit të shpërndarë degëve të PD-së, në çdo degë do të ngrihet një grup pune, i cili do të monitorohet nga drejtuesi politik i qarkut përkatës. Ky grup do të ketë në përbërje anëtarë të kryesisë së degës, drejtues të grupseksioneve, deputetë të qarkut dhe koordinatorin e posaçëm të kryetarit të partisë.
Verifikimi do të bazohet në të dhënat ekzistuese të anëtarësisë, të pasuruara me pjesëmarrjen në proceset zgjedhore që nga viti 2021, duke përfshirë periudhën nga Kuvendi i Rithemelimit i 18 dhjetorit 2021 e deri më sot. Primaret me simpatizantët nuk do të përfshihen në këtë proces.
Grupet e punës do të kontaktojnë çdo anëtar një për një për identifikim dhe verifikim të të dhënave, ndërsa në përfundim anëtarët do të pajisen me karta të reja anëtarësie.
Në udhëzim përcaktohen edhe kriteret për përjashtimin nga anëtarësia. Nuk do të konsiderohen anëtarë të Partisë Demokratike ata që kanë vepruar kundër interesave të PD-së në fushata zgjedhore, duke mbështetur kundërshtarët politikë, apo ata që me qëndrime publike dhe politike kanë dalë kundër vijës zyrtare të partisë dhe kanë bashkuar votat me kundërshtarët në çështje të rëndësishme vendore ose qendrore.
Procesi synon riorganizimin e brendshëm të Partisë Demokratike dhe rifreskimin e strukturave të saj përballë sfidave të ardhshme politike.
