Nën drejtimin e Elira Kokonës, Korporata e Investimeve Shqiptare ka hapur një procedurë ndërkombëtare që po ngre pikëpyetje mbi mënyrën e përdorimit të pronave shtetërore në Rivierën Shqiptare.
Projekti parashikon zhvendosjen e dy strukturave të rëndësishme të Policisë së Shtetit, Stacionit të Policisë në Palasë dhe Pikës së Policisë Kufitare në Dhërmi, nga pozicionet e tyre aktuale pranë vijës bregdetare. Në vend të tyre planifikohet zhvillimi i strukturave hoteliere dhe turistike nga investitorë privatë.
Sipas dokumenteve të procedurës, në këmbim të këtij zhvillimi do të ndërtohet një Qendër e re Shërbimesh Publike pranë rrethrrotullimit të Palasës, ku do të transferohen Policia, Garda e Republikës, zjarrfikësit dhe shërbimet shëndetësore emergjente.
Qendra e re publike pranë rrethrrotullimit të Palasës
Zona e parë e projektit ndodhet pranë rrethrrotullimit të Palasës, në një sipërfaqe prej rreth 54,391 metrash katrorë, e regjistruar në Zonën Kadastrale 2863.
Në këtë hapësirë parashikohet ndërtimi i:
- Stacionit të Policisë në Palasë;
- Stacionit të Policisë Kufitare në Dhërmi;
- ambienteve për Gardën e Republikës;
- stacionit zjarrfikës;
- shërbimeve shëndetësore bazë dhe emergjente.
Programi orientues i ndërtimit përfshin rreth 900 m² për policinë, 730 m² për Gardën, 170 m² për zjarrfikësit dhe deri në 217 m² për shërbimet shëndetësore.
Dy prona bregdetare për zhvillim hotelier
Projekti përfshin edhe dy prona publike në vijën bregdetare.
Zona e dytë ndodhet në Palasë, me sipërfaqe 2,555 m², ku aktualisht funksionon Stacioni i Policisë. Për këtë pronë kërkohet zhvillimi i një strukture hotelerie me sipërfaqe ndërtimi deri në rreth 3,577 m².
Zona e tretë është prona ku ndodhet Pika e Policisë Kufitare në Dhërmi. Ajo përbëhet nga një truall rreth 1,500 m² dhe një ndërtesë ekzistuese prej 312 m². Dokumentet e procedurës e konsiderojnë zhvillimin aktual “jo të optimizuar” në raport me potencialin ekonomik të zonës, duke kërkuar ndërtimin e një strukture të re akomoduese me sipërfaqe deri në rreth 2,100 m².
Si parashikohet partneriteti
Sipas kushteve të procedurës, investitori privat duhet t’i kalojë Korporatës së Investimeve Shqiptare të paktën 35% të sipërfaqes së zhvilluar në secilin projekt hotelier.
Kjo pjesë do të përdoret si kundërvlerë për ndërtimin e Qendrës së Shërbimeve Publike në Palasë, ndërsa investitori do të mbulojë edhe kostot e projektimit, ndërtimit, lejeve, taksave dhe regjistrimit të objekteve.
Procedura
Përzgjedhja do të zhvillohet në dy faza.
Në fazën e parë, aplikantët duhet të paraqesin masterplanin, projekt-idetë arkitekturore dhe dokumentacionin financiar e teknik. Pesë kandidatët më të vlerësuar do të kalojnë në fazën e dytë, ku projektet do të shqyrtohen nga një juri ndërkombëtare dhe do të hapen ofertat financiare.
Kandidatët duhet të provojnë se disponojnë të paktën 7 milionë euro burime financiare për realizimin e investimit.
Afati për dorëzimin e aplikimeve është 10 shtator 2026, ora 15:00.
