Biznesmeni Ermal Beqiri, një nga emrat më të fuqishëm në tregun e teknologjisë së informacionit dhe përfitues i një numri të madh tenderësh publikë ka hyrë në radarët e SPAK. Mësohet se oficerë të BKH-së kanë ushtruar kontrolle së fundmi në ambientet e kompanisë “Soft & Solution” në pronësi të Beqirit. Nuk dihet nëse këto kontrolle lidhen me tenderat e përfituar nga kompania apo janë pjesë e një hetimi më të gjerë. Gazeta “SOT” e raportoi në artikujt e fundit se “Soft & Solution” mbetet një ndër përfitueset më të mëdha të kontratave publike në sektorin e teknologjisë së informacionit.
Detajet
Tenderët dhjetëra milionë euro të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) kanë krijuar një situatë oligopoli, në të cilën fondet qeveritare ndahen mes një grushti të vogël kompanish private, disa prej të cilave të lidhura mes tyre. Një pozicion të rëndësishëm në këtë “oligopol” ka Ermal Beqiri, i cili aktualisht zotëron dy prej shoqërive që janë prezent në rolin e fituesit në tenderët e majmë të AKSHI-t, “Soft & Solution” dhe “Horizon”. “Perandoria” informatike e Beqirit është ngritur mbi një të shkuar të diskutueshme të tij. Emri i Ermal Beqirit u bë i njohur për publikun për skandalin Meta-Prifti. Në atë kohë, inxhinieri elektronik 30-vjeçar nga Gjirokastra dhe drejtor i Teknologjisë së Informacionit në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, u përzgjodh si një prej ekspertëve të thirrur në procesin për “korrupsion” që po zhvillohej në Gjykatën e Lartë ndaj ish-zv/kryeministrit, Ilir Meta.
