Informacionet se po përgatitet një atentat ndaj tij, shtohen masat e sigurisë për Gjukanoviç

Data

Policia malazeze ka shtuar masat e sigurisë ndaj ish-presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, pas informacioneve se ndaj tij po përgatitet një atentat.

Kjo u bë e ditur më 14 korrik, pasi një ditë më parë disa media në Mal të Zi, të cilat duke u thirrur në burime nga sektori i sigurisë, njoftuan se një grup kriminal nga rajoni po përgatitej të vriste Gjukanoviçin dhe se ish-presidenti i Malit të Zi ishte informuar për këtë nga një anëtar i paidentifikuar i shërbimeve të huaja.

“Policia ka marrë informacionin e duhur nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare [ANB]. Theksojmë se besueshmëria e informacionit është ende duke u kontrolluar nga ANB-ja. Menjëherë pas marrjes së informacionit, Policia, Prokuroria dhe ANB-ja morën masa të mëtejshme dhe veprime në juridiksionin e tyre në mënyrë të sinkronizuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Autoritetet thonë se menjëherë pas marrjes së informacionit, nga ana e prokurorisë kompetente është iniciuar rast.

Kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve në opozitë, Danijel Zhivkoviç, është i vetmi që ka njoftuar zyrtarisht se kjo parti “ka dijeni për detajet e përgatitjes për vrasjen e mundshme të ish-presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç”.

Ai kështu deklaroi në një konferencë për shtyp më 13 korrik, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për informacionet e mediave se po përgatitej një atentat ndaj Gjukanoviçit.

“Ne kemi njohuri të detajeve dhe e dimë se për çfarë bëhet fjalë. Nuk na takon neve t’i komunikojmë informacionet tona. Besoj se ANB-ja dhe institucionet e tjera kompetente do të dalin me të dhëna të sakta”, tha Zhivkoviç.

Duke iu referuar informacioneve jozyrtare të mediave të publikuara, Zhivkoviq deklaroi se Gjukanoviq për këtë është paralajmëruar nga qarqet e agjencive të huaja të inteligjencës, por nuk ka dashur të japë detaje.

Duke iu referuar burimeve të paidentifikuara, një pjesë e mediave në Mal të Zi kanë marrë konfirmimin se ANB-ja ka marrë “informacion operacional” për përgatitjen e vrasjes së Gjukanoviçit.

Me këtë rast, Radio Evropa e Lirë pyeti ANB-në nëse ka marrë “informata serioze operacionale se një grup i organizuar kriminal po përgatitet të vrasë Gjukanoviqin”, siç raportojnë mediat. Ky institucion nuk u përgjigj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related