Media amerikane “Wired” i ka kushtuar një artikull protestave që vijojnë prej 48 ditësh në Shqipëri, duke e përshkruar lëvizjen qytetare si një reagim që ka kaluar nga një kauzë mjedisore në një protestë të gjerë politike kundër qeverisë.
Sipas artikullit, protestat nisën si një reagim për mbrojtjen e zonave bregdetare dhe faunës së mbrojtur, por më pas u zgjeruan duke përfshirë kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kundërshtimin e politikave për investimet në territore të ndjeshme natyrore.
“Wired” shkruan se lëvizja fillimisht u identifikua si “revolucioni i flamingove”, duke iu referuar simbolit të përdorur nga aktivistët për mbrojtjen e zonave ku janë propozuar projekte të mëdha turistike.
Media amerikane përmend reagimet e krijuara pas publikimit të projekteve në zonat bregdetare, përfshirë diskutimet mbi investime të mëdha turistike dhe shqetësimet e ngritura nga banorë, ambientalistë dhe kritikë të qeverisë për transparencën e proceseve vendimmarrëse.
Sipas artikullit, protestat u zhvendosën më pas në Tiranë, ku qytetarët kërkuan ndryshime politike dhe shfuqizimin e ligjeve që, sipas kundërshtarëve të qeverisë, kanë lehtësuar zhvillime private në zona me rëndësi publike.
“Wired” thekson se flamingot janë kthyer në simbol të rezistencës ndaj asaj që protestuesit e konsiderojnë si cenim të pasurive natyrore dhe privatizim të hapësirave publike.
Lëvizja ka marrë gjithashtu vëmendje përtej Shqipërisë, ndërsa artikulli përmend edhe mbështetjen e shprehur nga figura publike me origjinë shqiptare, përfshirë këngëtaren Dua Lipa.
