Familja e Martin Canit kritikon Ramën: “Mos e përdorni emrin e djalit tonë për propagandë”

Data

Familja e 14-vjeçarit Martin Cani ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po përdor emrin e djalit të tyre për qëllime politike dhe propagandistike.

Në një deklaratë për shtyp, prindërit e Martinit shprehen se qeveria po shmang përgjegjësitë për dështimet institucionale që, sipas tyre, çuan në tragjedinë e humbjes së jetës së të miturit.

Familjarët kundërshtojnë deklaratat e Ramës se prindërit duhet të ndihen “të lehtësuar” dhe theksojnë se ngjarjet e tjera të rënda me të mitur tregojnë se problemi nuk lidhet vetëm me rrjetet sociale, por me mungesën e sigurisë, mbështetjes psikologjike dhe funksionimit të institucioneve.

Sipas tyre, mbyllja e TikTok-ut dhe vendosja e kamerave në shkolla nuk janë zgjidhje për parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve.

“Kamerat nuk parandalojnë dhunën, nuk zëvendësojnë psikologët dhe nuk zgjidhin mungesën e sigurisë në shkolla”, thuhet në deklaratën e familjes.

Prindërit e Martinit kanë ngritur gjithashtu shqetësime për sistemin shëndetësor, duke pretenduar se mungesa e disa pajisjeve dhe shërbimeve në Spitalin e Traumës ndikoi në pamundësinë për ta shpëtuar të riun.

Në reagim ngrihen akuza edhe ndaj sjelljes së disa deputetëve dhe ministreve gjatë diskutimeve në Kuvend, duke pretenduar se emri i Martinit nuk është trajtuar me respektin e duhur.

Familja kërkon që hetimet për ngjarjen dhe përgjegjësitë institucionale të përfundojnë sa më shpejt, duke deklaruar se nuk do të heshtë derisa të ketë drejtësi.

“Martini nuk ishte slogan politik, as pretekst për masa propagandistike. Ai ishte një fëmijë me ëndrra që meritonte të jetonte”, përfundon deklarata e familjes Cani.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related