Protesta qytetare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama ka hyrë sot në ditën e 48-të, me qytetarët që vijojnë tubimet e përditshme në kryeqytet.
Protestuesit janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, nga ku pritet të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalime dhe do të përcillen mesazhe kundër qeverisjes.
Pjesëmarrësit në protestë kanë deklaruar se shqetësimet e tyre lidhen me korrupsionin, problematikat ekonomike dhe sociale, si dhe mënyrën e funksionimit të institucioneve.
Ata theksojnë se kërkesa kryesore e kësaj lëvizjeje mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një kërkesë “të panegociueshme”.
Organizatorët deklarojnë se protesta do të vijojë çdo ditë deri në përmbushjen e kësaj kërkese dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tjerë t’u bashkohen tubimeve.
Sipas tyre, protesta ka marrë vëmendje edhe jashtë vendit, ndërsa pjesëmarrësit shprehen të vendosur për të vijuar aksionin qytetar.
