Ish-kryetarja e Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD), Alesia Balliu, deklaroi se Partia Demokratike ka nevojë për një proces të thellë rinovimi, duke argumentuar se me Sali Berishën në krye nuk mund të fitohen zgjedhjet.
E ftuar në një emision televiziv, Balliu tha se ky problem është evident prej kohësh dhe kujtoi edhe deklaratat e ish-ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, lidhur me drejtimin e PD-së.
Duke komentuar zhvillimet e fundit në parti, ajo u ndal edhe te kandidatura e Julia Emirit, emër që sipas saj është bërë i njohur për shkak të angazhimit në protesta, por që nuk përfaqëson ripërtëritjen që pret Partia Demokratike.
“Julia Emiri, emrin e kam dëgjuar për protestën. Kjo nuk është ripërtëritja që pritet në PD. Ka shumë zonja në PD që mund ta përfaqësonin atë post. Për mua është një emër i panjohur”, u shpreh Balliu.
Sipas saj, në Partinë Demokratike nuk zhvillohet një garë reale, por procesi vijon të dominohet nga e njëjta strukturë drejtuese.
“Kjo parti e ka problemin që kur ambasadorja Yuri Kim tha: ‘Sa kohë të mbani Berishën, do hani bar’. Të gjithë e dinë që me Berishën nuk fitohet dhe partia ka nevojë për rinovim”, deklaroi ajo.
Balliu shtoi se, sipas vlerësimit të saj, aktualisht në PD nuk ka një proces konkurrues dhe se drejtimi i partisë mbetet në duart e së njëjtës kupolë politike.
“Nuk ka garë në PD. Jemi me një kupolë të vjetër që drejtohet nga Berisha. Kemi një farsë që nuk ka legjitimitet dhe nuk mund të jetë alternativë. Një individ që synon të qeverisë nesër duhet të ketë besueshmëri”, përfundoi ish-kryetarja e FRPD-së.
