Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se raporti dhe hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) konfirmojnë shqetësimet e ngritura prej vitesh nga opozita për depërtimin e parave të krimit dhe korrupsionit në ekonominë shqiptare.
Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale nga drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, zëvendësdrejtuesit e institucionit dhe kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Tabaku u ndal te lidhja mes krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave.
“Raporti dhe hetimet e SPAK po konfirmojnë shqetësimet që opozita ka ngritur prej vitesh për depërtimin e parave të krimit dhe korrupsionit në ekonominë shqiptare”, u shpreh ajo.
Sipas Tabakut, të dhënat e paraqitura nga SPAK tregojnë se krimi i organizuar, korrupsioni dhe pastrimi i parave nuk janë më fenomene të ndara, por pjesë e një sistemi të ndërlidhur.
“Këto nuk janë më fenomene të veçuara, por pjesë e një sistemi që prodhon para të paligjshme dhe më pas i fut ato në ekonominë formale”, deklaroi deputetja.
Ajo vlerësoi faktin që SPAK ka identifikuar pasuritë e paluajtshme dhe bizneset me përdorim të lartë të parasë fizike si sektorët me rrezik më të lartë për pastrimin e parave.
Tabaku ngriti gjithashtu shqetësimin për kompanitë me pronësi nominale, duke kërkuar që hetimet të mos ndalen vetëm te administratorët formalë, por të shtrihen deri te përfituesit realë.
“Hetimet nuk duhet të ndalen vetëm te personat e vendosur formalisht në krye të kompanive, por duhet të ndjekin rrjedhën e parave deri te kontrolluesit dhe përfituesit realë të këtyre skemave”, tha ajo.
Deputetja kërkoi gjithashtu që hetimet ndaj zyrtarëve të lartë të përfshijnë jo vetëm veprat e korrupsionit, por edhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
“Goditja e korrupsionit mbetet e paplotë pa identifikuar mënyrën se si paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme pastrohen, investohen dhe rikthehen në ekonomi përmes kompanive, pronave dhe ndërtimeve”, u shpreh Tabaku.
Në përfundim, ajo kërkoi që sektori i ndërtimit të përfshihet në raportet e ardhshme të SPAK si një nga sektorët me rrezik të lartë për pastrimin e parave, duke theksuar se forcimi i kapaciteteve të SPAK është thelbësor për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekonomisë së parave të pista.
