A do të hetohet Rama për “Albanian Files”? Braho: Askush nuk është imun ndaj SPAK, duhen prova

Data

Kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, ka deklaruar se asnjë person nuk është imun ndaj hetimit, përfshirë edhe zyrtarët më të lartë, por theksoi se nisja e një procedimi kërkon prova dhe nevojë konkrete hetimore.

Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Nismat Qytetare, Braho u pyet nga deputeti Gjin Gjoni nëse SPAK ka nisur hetime ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen “Albanian Files”, inceneratorët dhe projekte të tjera ndërtimore.

Gjoni kërkoi të dinte nëse kryeministri ishte thirrur si person në dijeni dhe nëse ishin verifikuar financimet, porositësit dhe lidhjet e mundshme me projektet e përfshira në dosjen e publikuar.

Braho shmangu komentet për çështje konkrete, duke u bërë thirrje personave që pretendojnë se disponojnë prova t’i depozitojnë pranë Prokurorisë së Posaçme.

“Nëse dikush ka prova, është i ftuar t’i depozitojë dhe do të marrë përgjigje ligjore. Asnjë person nuk është imun ndaj SPAK-ut. Kushti është nevoja hetimore dhe ekzistenca e provave për kryerjen e një vepre penale”, deklaroi ai.

Kreu i SPAK-ut foli gjithashtu për pastrimin e parave, të cilin e cilësoi një veprimtari me rrezik të lartë.

I pyetur për pretendimet se pasuritë e sekuestruara mund të rikthehen në mënyrë të tërthortë te ish-pronarët përmes personave të tretë, Braho sqaroi se kompetenca e SPAK-ut shtrihet deri në nxjerrjen e urdhrit të sekuestrimit, ndërsa ekzekutimi vijon përmes procedurave gjyqësore.

Ai shtoi se nuk kishte dijeni për raste konkrete, por siguroi se, nëse evidentohen shkelje, do të hetohen si përfituesit, ashtu edhe zyrtarët që mund t’i kenë lejuar ato.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related