A do të kërkojë SPAK sërish arrestimin e Ballukut? Braho: Hetimet vijojnë, kemi qenë të qartë në kërkesën tonë

Data

Kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, ka deklaruar se hetimet për çështjen që përfshin ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku vijojnë, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e zhvillimeve të reja procedurale.

Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Braho u pyet nga deputeti demokrat Ivi Kaso nëse SPAK do t’i drejtohet sërish Kuvendit me një kërkesë për heqjen e imunitetit të Ballukut.

Kaso tha se kërkesa e mëparshme e SPAK-ut tregonte se prokuroria kishte vlerësuar ekzistencën e rrezikut për ndërhyrje në hetime, prishje të provave ose largim nga vendi. Ai pyeti gjithashtu nëse qëndrimi i Kuvendit kishte dëmtuar procesin hetimor.

Braho u përgjigj se prokuroria ka qenë e qartë në kërkesën e paraqitur, por theksoi se nuk mund të komentojë vendimmarrjen e Parlamentit.

“Prokuroria ka qenë e qartë për atë që ka kërkuar. Nuk mund të vlerësojë qëndrimin e Kuvendit për një kërkesë të caktuar”, deklaroi ai.

Kreu i SPAK-ut shtoi se nuk mund të japë hollësi për shkak të vijimit të hetimeve, por la të hapur mundësinë e njoftimeve të mëtejshme.

“Nuk mund të them detaje, pasi në vijim të hetimeve SPAK mund të ketë njoftime. SPAK është i qartë në atë që ka kërkuar dhe në qëndrimin e mbajtur para Kuvendit”, u shpreh Braho.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related