Morena Corbellini, nëna e 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila, ka reaguar pasi ish-i dashuri i vajzës së saj pranoi në Gjykatën e Apelit në Itali se ishte ai që e shtyu Aurorën nga ballkoni i një pallati në Piacenza në tetor të vitit 2024.
Në një intervistë për mediat italiane, Corbellini e cilësoi rrëfimin e të riut si një veprim të kalkuluar dhe jo si shenjë pendese të sinqertë.
“Ka zgjedhur një rrugë shumë dinake. Fillimisht zgjodhi gjykimin e shkurtuar duke u deklaruar i pafajshëm. Pastaj, pas gati dy vitesh, pranoi krimin dhe kërkoi falje. E bëri vetëm me shpresën për të përfituar ulje dënimi.”
Sipas saj, faljet e autorit nuk janë të besueshme.
“Nuk besoj se janë të sinqerta. Në fytyrën e tij nuk pashë asnjë shenjë pendese. Madje, disa herë shikonte avokatin për të kuptuar se çfarë duhej të thoshte.”
Nëna e Aurorës u shpreh se nuk do ta falë kurrë autorin e krimit dhe as nënën e tij.
“Nuk do ta fal kurrë. As atë, as nënën e tij, e cila e dinte çfarë kishte ndodhur dhe nuk më tha asgjë. Një nënë duhet të tregojë të vërtetën, jo të gënjejë përballë dhimbjes.”
Corbellini theksoi se nuk kishte besuar kurrë se vajza e saj kishte kryer vetëvrasje.
“Aurora kishte shumë dëshirë për të jetuar. Nuk kam menduar asnjëherë se ajo mund t’i kishte dhënë fund jetës.”
Duke kujtuar momentin kur dëgjoi rrëfimin në sallën e gjyqit, ajo tha se zgjodhi të heshtte.
“Qëndrova në heshtje. Jo për ta fyer, por sepse që në fillim e dija se kisha të drejtë. Shpresoj që drejtësia të bëjë punën e saj dhe të mos i ulet dënimi.”
Edhe pse respekton vendimet e drejtësisë, Corbellini tha se një ulje e mundshme e dënimit nuk do të ishte e drejtë sipas saj.
“Edhe 17 vite burg më duken pak.”
Në përfundim, ajo foli për boshllëkun që ka lënë humbja e vajzës së saj.
“Aurora ishte jeta ime. Më mungon çdo ditë. Shpresoj ende ta shoh ose ta dëgjoj, por e di që kjo nuk është më e mundur. E vetmja gjë që mund të bëj është të vazhdoj të jetoj dhe të luftoj për të.”
