Policia e Shtetit njofton se vijojnë kontrollet dhe hetimet në të gjithë vendin për parandalimin e zjarrvënieve dhe për identifikimin e autorëve të dyshuar të zjarreve që dëmtojnë sipërfaqe toke, bimësi, prona dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Sipas bilancit të publikuar, gjatë muajit qershor dhe dy javëve të para të korrikut 2026 janë arrestuar ose proceduar penalisht 29 shtetas, të dyshuar për zjarrvënie.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, policia ka arrestuar në flagrancë dy persona dhe ka proceduar penalisht një tjetër, të dyshuar si autorë të tre rasteve të zjarrvënies në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër.
Sipas policisë:
- Në Kavajë u arrestua shtetasi S. Ç., 51 vjeç, banues në fshatin Sterbeg, pasi zjarri i ndezur në pronën e tij u përhap duke djegur kullota dhe rreth 300 pemë agrumesh dhe ullinjsh.
- Në Vorë u arrestua A. D., 43 vjeç, banues në fshatin Gjokaj, pasi dyshohet se zjarri i ndezur në një sipërfaqe toke u përhap dhe dogji një parcelë të mbjellë me pemë frutore.
- Në Mallakastër nisi procedimi penal ndaj O. B., 39 vjeç, banues në fshatin Levan. Sipas hetimeve paraprake, gjatë tërheqjes së një automjeti me karrotrec janë krijuar shkëndija elektrike që shkaktuan zjarr, duke djegur dhjetëra pemë arre në fshatin Romës.
Materialet procedurale u referuan prokurorive përkatëse për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve, fermerëve dhe pronarëve të tokave që të mos ndezin zjarre në asnjë rrethanë, duke kujtuar se djegia e mbeturinave në toka bujqësore apo kullota përbën rrezik serioz për përhapjen e flakëve dhe është e dënueshme me ligj.
Autoritetet ftojnë gjithashtu qytetarët të denoncojnë çdo rast të dyshuar zjarrvënieje, duke garantuar anonimatin dhe reagim të menjëhershëm nga strukturat e Policisë së Shtetit.
