Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka bërë thirrje për një përballje më të fortë politike me mazhorancën, duke theksuar se opozita duhet të bashkohet për të arritur ndryshimin në vend.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Balliu u shpreh se largimi nga pushteti i kryeministrit Edi Rama nuk duhet parë si një çështje që lidhet me individë të caktuar të opozitës, por si një çështje që prek të gjithë shoqërinë.
Sipas tij, vetëm përmes bashkimit dhe mobilizimit të qytetarëve mund të arrihet ndryshimi politik.
“Po të bashkohemi të gjithë, Rama ikën nesër. Është një çështje kombëtare, jo e Sali Berishës apo e Klevis Balliut,” deklaroi ai.
Balliu shtoi se opozita duhet të rrisë intensitetin e aksionit politik dhe të kërkojë llogari nga përfaqësuesit e mazhorancës.
Ai theksoi gjithashtu se është në favor të një përballjeje të drejtpërdrejtë politike me qeverinë, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe opozitës që të jenë më aktivë në këtë proces.
