Nëna e një prej 15-vjeçareve të përfshira në dhunimin e një 17-vjeçareje në Fier ka deklaruar se familja kishte vënë re prej kohësh probleme serioze në sjelljen dhe gjendjen emocionale të vajzës, por nuk kishte pasur mundësi ekonomike për t’i siguruar trajtimin e nevojshëm.
Në një intervistë televizive, ajo tha se familja u vu në dijeni të ngjarjes vetëm pasi u thirr nga policia.
“Ne e mësuam ngjarjen kur na thirri policia. Shkuam në komisariat, vajza ishte aty dhe dhamë deklarimet. Na thanë vetëm se kishte goditur pak vajzën, nuk dinim asgjë më shumë.”
Sipas saj, vajza nuk kishte folur me prindërit për incidentin dhe vazhdonte të dilte shpesh nga shtëpia deri në orët e vona të natës.
“Dilte deri në orën 12:00 apo edhe në 02:30 të natës. Më thoshte se do të dilte me shoqet, por unë nuk i njihja. I kërkoja të mos dilte natën, por nuk më dëgjonte.”
Nëna pretendoi gjithashtu se e bija kishte qenë viktimë e bullizmit në shkollë dhe se kishte shfaqur sjellje të dhunshme edhe ndaj prindërve.
“Vajzën e bullizonin shumë në shkollë. Ajo na dhunonte edhe mua, edhe bashkëshortin tim. Madje ka denoncuar edhe bashkëshortin për dhunë në familje, por kjo nuk ka ndodhur.”
Ajo tha se familja kishte kërkuar ndihmë që në muajin nëntor, pasi kishte kuptuar se vajza kishte nevojë për mbështetje profesionale, por vështirësitë ekonomike e kishin bërë të pamundur sigurimin e trajtimit.
Në përfundim, nëna kërkoi falje publike ndaj 17-vjeçares së dhunuar dhe familjes së saj.
“I kërkoj shumë falje dhe ndjesë 17-vjeçares dhe familjes së saj. Jam nënë vetë. Për vajzën time dua vetëm të shërohet dhe u bëj thirrje institucioneve që t’i sigurojnë kurimin e plotë.”
