Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ashpërsuar kritikat ndaj NATO-s dhe Spanjës, duke shprehur pakënaqësinë e tij për nivelin e kontributit të Madridit në Aleancën Atlantike.
Gjatë një deklarate, Trump e cilësoi Spanjën si “një partner të tmerrshëm” në NATO, duke pretenduar se vendi nuk kontribuon mjaftueshëm në shpenzimet për mbrojtjen.
“Spanja është një partner i tmerrshëm në NATO. Ata nuk marrin pjesë, nuk paguajnë. Nuk dua të kem asnjë lidhje me Spanjën”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump tha se ka kërkuar nga zyrtarët amerikanë të shqyrtojnë mundësinë e rishikimit të marrëdhënieve tregtare dhe të bashkëpunimit me Spanjën, duke argumentuar se, sipas tij, Madridi do të kërkonte më pas një afrim me Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan përsëriti gjithashtu kritikat ndaj NATO-s, duke u shprehur i pakënaqur me qëndrimet e disa aleatëve për çështje të ndryshme të sigurisë ndërkombëtare, përfshirë Groenlandën dhe Iranin.
Deklaratat vijnë në një periudhë debatesh mbi ndarjen e barrës financiare brenda NATO-s, ku administrata amerikane ka kërkuar vazhdimisht që vendet anëtare të rrisin shpenzimet për mbrojtjen.
