Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Drejtoria Rajonale Kukës-Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, ka arrestuar në flagrancë një punonjës të Policisë së Shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari është Megin Gani Ademi, 32 vjeç, me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Dibër. Ai dyshohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Sipas AMP-së, nga hetimet paraprake ka rezultuar se efektivi dyshohet se nuk ka kryer veprimet hetimore dhe procedurale që lidhen me largimin e shtetasit Amir Muaremi, i cili ndodhej nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ishte në proces ekstradimi drejt Republikës Federale të Gjermanisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e veprimeve hetimore dhe procedurale.
Në reagimin e saj, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore theksoi se mbetet e angazhuar për hetimin e çdo rasti të dyshuar të paligjshmërisë në radhët e Policisë së Shtetit.
Çështja është në fazën e hetimeve dhe përgjegjësitë penale do të përcaktohen nga organet e drejtësisë në përputhje me procedurat ligjore.
