Ka nisur lirimi i protestuesve të arrestuar pas përplasjeve me policinë gjatë protestës së 2 korrikut para Kuvendit. Të ndaluarit kanë lënë ambientet e bllokut të sigurisë në rrugën “Mine Peza”, ku janë pritur nga familjarë, miq dhe mbështetës.
Pak më herët, Gjykata e Tiranës dha vendimin për 19 protestuesit e arrestuar pas incidenteve të regjistruara gjatë tubimit.
Për Everest Bardhin dhe Ervin Gegën u caktua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, megjithëse Prokuroria kishte kërkuar fillimisht “arrest me burg”, duke pretenduar se kishin ushtruar dhunë dhe kishin dëmtuar një automjet të Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, Altin Hila, i cili u bë simbol i protestës pasi u arrestua ndërsa kërkonte të kujdesej për fëmijën e tij të sëmurë, u la i lirë. Fillimisht, Prokuroria kërkoi masën “arrest me burg”, por më pas ndryshoi qëndrim duke kërkuar “arrest në shtëpi”.
Në total, 12 protestues u lanë nën masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”, ndërsa pesë të tjerë u liruan pa asnjë masë sigurie.
Seanca gjyqësore zgjati më shumë se pesë orë. Gjatë zhvillimit të saj u ndërpre përkohësisht pasi protestuesi Niko Qarkaj, i cili vuan nga epilepsia, shfaqi probleme shëndetësore dhe mori ndihmë mjekësore.
