Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë në kuadër të ditës së 34-t të protestave në Tiranë.
Gjatë marshimit, pjesëmarrësit mbajnë pankarta dhe flamuj kombëtarë, ndërsa brohorasin thirrje kundër qeverisë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Organizatorët kanë deklaruar se ndër kërkesat e tyre kryesore janë dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë, hetimi i zyrtarëve që, sipas tyre, mbajnë përgjegjësi për çështje të ndryshme të denoncuara publikisht, si dhe reforma politike që synojnë rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu ndryshime në sistemin politik, duke argumentuar se nevojitet një model i ri qeverisjeje dhe një proces reformash institucionale.
Marshimi po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, ndërsa deri në këtë fazë nuk janë raportuar incidente.
