Një operacion i gjerë policor në Stamboll ka përfshirë disa figura të njohura të showbiz-it turk, mes tyre edhe aktorin e famshëm Can Yaman dhe aktoren Selen Gorguzel. Ata janë shoqëruar nga policia pas kontrolleve të papritura të zhvilluara në disa klube nate dhe në një hotel të njohur të qytetit.
Operacioni u shtri në disa ambiente elitare, ku forcat e rendit sekuestruan materiale që konsiderohen prova të rëndësishme për hetimin. Në këtë fazë, shtatë persona janë shoqëruar, ndërsa hetimet kishin nisur që më 5 janar dhe deri tani kanë çuar në arrestimin e 19 personave.
Sipas raportimeve të mediave turke, hetimi lidhet me dyshime për përdorim dhe nxitje të përdorimit të substancave të ndaluara, si dhe me lehtësimin e aktiviteteve të paligjshme në ambiente publike. Autoritetet po verifikojnë rolin e secilit person të përfshirë.
Personat e shoqëruar pritet t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore, ndërsa prokuroria do të vendosë për hapat e mëtejshëm procedurialë. Përveç aktorëve të njohur, në fokus të hetimeve janë edhe menaxherë dhe pronarë biznesesh.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe ka tronditur botën e showbiz-it turk, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht këtë çështje.
