Në ditën e 34-të të protestës në Tiranë, qytetarët u mblodhën sërish në sheshin “Skënderbej”, përpara se të vijonin marshimin në rrugët e kryeqytetit.
Gjatë tubimit, një pensionist kritikoi bonusin e fundit të pensioneve, duke e cilësuar atë të pamjaftueshëm për të përballuar kostot e jetesës.
“Me bonusin Rama u tall si gjithmonë me ne. 5 mijë lekë nuk jepen as për fëmijë. Rama duhet t’i thërrasë mendjes,” u shpreh ai.
Protestuesi u bëri thirrje edhe fermerëve që të bashkohen në forma proteste, duke kërkuar organizim më të gjerë për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me situatën ekonomike.
Ai ftoi gjithashtu pensionistët të marrin pjesë në protestë, duke argumentuar se kjo shtresë e shoqërisë përballet me vështirësi të mëdha ekonomike.
Protestat, të cilat vijojnë prej më shumë se një muaji, kanë nisur si reagim ndaj projekteve zhvillimore në zonat e mbrojtura, ndërsa me kalimin e ditëve janë zgjeruar duke përfshirë edhe kërkesa për ndryshime politike, ekonomike dhe sociale.
