Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar këtë të martë pranë Kuvendit të Shqipërisë, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe dënoi aktet e dhunës ndaj deputetëve, duke deklaruar se gjatë disa orëve hyrjet dhe daljet e Kuvendit u shoqëruan me fyerje, ofendime dhe goditje ndaj ligjvënësve.
Sipas tij, sulmet nuk ishin të drejtuara vetëm ndaj deputetëve të Partisë Socialiste, por ndaj çdo deputeti që hynte ose dilte nga godina e Parlamentit.
Në reagimin e tij, Braçe kritikoi edhe Policinë e Shtetit për mënyrën e menaxhimit të situatës, duke pretenduar se efektivët lejuan që sulmet ndaj deputetëve të vazhdonin për disa orë.
Deputeti socialist u ndal edhe te incidenti ku automjeti i tij u godit me vezë, duke deklaruar se nuk kërkon ndjekje penale për këtë rast dhe se çështjet personale i zgjidh vetë.
“Erion Braçe punët e tij i zgjidh vetë, nuk ka nevojë për askënd. Nuk i kam borxh askujt dhe as kërkoj ndihmë për t’u përballur me këdo”, shkroi ai.
Braçe publikoi edhe një fotografi, për të cilën pretendon se tregon momentin kur një protestues godet një efektiv policie, duke e cilësuar këtë një akt që cenon autoritetin e shtetit.
Në përfundim të reagimit, ai paralajmëroi se dhuna ndaj institucioneve dhe forcave të rendit, sipas tij, rrezikon funksionimin e shtetit dhe nuk përfaqëson ndryshim politik.
“Kjo nuk është Shqipëria e re, por ky është kaosi i ri i udhëhequr nga dhuna ndaj kujtdo dhe dominimi i kriminelëve që kanë foltore e mikrofon”, përfundon reagimi i Braçes.
