Protestat që po zhvillohen në Shqipëri kundër projektit të planifikuar në zonën e Nartës kanë vijuar të pasqyrohen edhe në mediat ndërkombëtare.
Sipas një analize të publikuar nga Radio France Internationale (RFI), zemërimi i protestuesve nuk ka dhënë shenja zbutjeje, ndërsa vëmendje i kushtohet edhe reagimeve të institucioneve evropiane dhe mobilizimit të diasporës shqiptare.
Në artikull përmendet se Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, është bërë objekt kritikash nga një pjesë e protestuesve pas perceptimit se ka mbështetur qeverinë shqiptare lidhur me projektin e diskutueshëm.
RFI citon gjithashtu një letër të hapur të hartuar nga një kolektiv qytetarësh të diasporës shqiptare në Evropë, ku shprehet shqetësimi për mungesën e një reagimi më të fortë nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare ndaj zhvillimeve në Shqipëri.
Sipas medias franceze, diaspora shqiptare po organizohet në mënyrë më të gjerë për të mbështetur protestat, ndërsa artikulli e përshkruan situatën si një lëvizje që vazhdon të tërheqë vëmendje edhe jashtë vendit.
