Lista e përbashkët e partive opozitare serbe në Kosovo, “Bashkë fitojmë”, ka paraqitur ankesë në Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës refuzoi certifikimin e saj për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Sipas KQZ-së, lista nuk ka përmbushur kriterin ligjor për numrin e nevojshëm të nënshkrimeve, duke bërë që nisma të kërkojë shqyrtim nga organi kompetent për ankesa zgjedhore.
Në koalicionin “Bashkë fitojmë” bëjnë pjesë gjashtë subjekte politike opozitare serbe në Kosovë: Lëvizja Popullore Serbe, Aleanca e Kosovës, Fytyra e Re, Demokracia Serbe, si dhe iniciativat qytetare “Veriu për të Gjithë” dhe “Rrënjët”.
Përfaqësuesit e listës deklaruan se vendimi i KQZ-së është “i paprecedent”, pasi sipas tyre refuzimi është bërë për arsye teknike, duke pretenduar se pranë disa emrave të nënshkruesve mungonin numrat e telefonit.
Ata theksuan se kanë dorëzuar rreth 1.400 nënshkrime mbështetëse, një numër që sipas tyre tejkalon kriterin minimal ligjor të kërkuar për certifikim.
“Në interes të demokracisë dhe të drejtës së qytetarëve për të zgjedhur”, thuhet në reagimin e listës, duke shtuar se presin që ankesa të pranohet dhe t’u mundësohet pjesëmarrja në zgjedhje.
“Kjo nuk është vetëm beteja jonë. Kjo është betejë për të drejtën e popullit tonë që të ketë përfaqësim autentik dhe të lirë, pa tutorë dhe pa ndërmjetës të imponuar”, thuhet më tej në deklaratë.
