Çmimi mesatar i sigurimit të detyrueshëm të mjeteve u rrit me afërsisht 7% në muajin janar të këtij viti. Statistikat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për muajin janar të këtij vitit primi i shkruar bruto mesatar për një kontratë sigurimi TPL arriti në afërsisht 19,500 lekë (plus taksën 10% mbi primin).
Primi mesatar i sigurimit të makinës shënoi kështu një rritje krahasuar me primin mesatar prej më pak se 18,300 lekësh të janarit të vitit të kaluar dhe në përgjithësi me nivelin mesatar vjetor prej 18,100 lekësh, të raportuara gjatë vitit 2024. Këto shifra tregojnë qartë se nisja e aplikimit të sistemit të ri për përcaktimin e primeve të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve ka sjellë një rritje të çmimeve për përdoruesit, në terma mesatarë.
Rregullorja “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit” hyri në fuqi në fillim të këtij viti dhe parashikon se në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë duhet të zbatojnë disa faktorë kryesorë risku, si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit; vjetërsia e mjetit. Përveç faktorëve të mësipërm, rregullorja parashikon që shoqëritë e sigurimit mund të zbatojnë edhe faktorë të tjerë risku, të përcaktuara prej tyre.
