Çmimet e larta shtojnë fluksin në plazhet publike të Vlorës, pushuesit kërkojnë më shumë hapësira falas

Data

Rritja e kostove në plazhet private po orienton një numër gjithnjë e më të madh pushuesish drejt hapësirave publike në Vlorë. Banorë vendas, pensionistë dhe turistë të huaj po zgjedhin plazhet falas, duke e konsideruar çmimin e shezlongëve dhe çadrave në sektorin privat të papërballueshëm.

Që në orët e para të mëngjesit, plazhet publike regjistrojnë fluks të lartë vizitorësh, ndërsa në disa zona private prania e pushuesve paraqitet më e ulët.

Shumë qytetarë kërkojnë zgjerimin e hapësirave publike përgjatë bregdetit, duke argumentuar se rritja e kostos së pushimeve ua kufizon mundësinë për të frekuentuar plazhet me pagesë.

Plazhet publike po tërheqin edhe turistë të huaj, të cilët e vlerësojnë mundësinë për të shijuar detin pa kosto shtesë.

“Vij nga Finlanda. Më pëlqen shumë këtu. Është një vend i bukur dhe fakti që plazhi është falas është një avantazh i madh,” u shpreh një turiste.

Një tjetër vizitor nga Finlanda tha se kishte zgjedhur Vlorën për pastërtinë e ujit, cilësinë e ushqimit dhe mundësinë për të pushuar me familjen në plazhe publike.

Aktualisht, përgjatë Lungomares funksionojnë dy hapësira publike të pajisura me rreth 150 çadra dhe 300 shezlongë në dispozicion të pushuesve. Zona publike pa pajisje plazhi gjenden gjithashtu në Zvërnec dhe në Plazhin e Vjetër.

Megjithatë, krahasuar me sipërfaqet e administruara nga operatorët privatë, hapësirat publike mbeten të kufizuara, ndërsa kërkesa për to vazhdon të rritet gjatë sezonit turistik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related