Rama sqaron deklaratën për Financial Times: Nuk iu drejtova shqiptarëve, por akuzave ndaj meje

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas debatit të shkaktuar nga një intervistë për Financial Times, ku u raportua se ai iu përgjigj me shprehjen në anglisht “Fuck you” atyre që e cilësojnë si “kumbarin” e Shqipërisë.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Rama sqaroi se shprehja nuk ishte drejtuar ndaj qytetarëve shqiptarë, por ndaj personave që, sipas tij, e akuzojnë prej vitesh pa prova.

“Unë nuk ua kam thënë kurrsesi shqiptarëve atë fjalë. Gazetari më pyeti se si u përgjigjem atyre që më akuzojnë se jam kumbari i Shqipërisë. I thashë fjalën që meriton kushdo që më akuzon prej vitesh dhe nuk ka lënë dy gurë bashkë për të më baltosur. Nga një orë bisedë, gazetari zgjodhi pikërisht atë pjesë”, u shpreh Rama.

Koment edhe për protestat

Kryeministri komentoi edhe protestat që po zhvillohen në vend, duke deklaruar se, sipas tij, ato përfshijnë qytetarë me shqetësime reale, por edhe elementë që ai i cilësoi si pengues të dialogut.

“Me t’u neutralizuar e keqja e madhe me shumë koka që ka kapur për fyti protestën, do të kthehem drejt masës domethënëse të njerëzve dhe do t’u them se çfarë kam kuptuar nga kjo nevojë e tyre për të protestuar dhe si mendoj se duhen adresuar shqetësimet që i kanë nxjerrë në rrugë”, deklaroi Rama.

Deklaratat e kryeministrit vijnë pas reagimeve të shumta në rrjetet sociale dhe debatit publik të krijuar pas publikimit të intervistës në Financial Times.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related