Lëvizje e papritur në IKMT, largohet Dallëndyshe Bici, Adriatik Kupi emërohet kryeinspektor

Data

Një dorëheqje e papritur është regjistruar sot në krye të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT). Pas rreth 18 muajsh në detyrë, Dallëndyshe Bici është larguar nga posti i kryeinspektores, duke i dhënë fund një tjetër kapitulli në një institucion kyç për kontrollin e territorit dhe ndërtimet pa leje.

Bici ishte riemëruar në këtë funksion në korrik të vitit 2024, pas një periudhe të shkurtër në krye të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Ajo ka qenë një nga figurat më jetëgjata të kësaj mazhorance në poste drejtuese, duke mbajtur role të rëndësishme për më shumë se një dekadë në administratën publike.

Në vend të saj, në krye të IKMT-së është emëruar Adriatik Kupi, ish-drejtor i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSH) dhe më herët administrator i Njësisë Administrative Petrelë në Tiranë. Emërimi i tij shihet si pjesë e një rifreskimi të drejtimit në një institucion që ka qenë në qendër të aksioneve për lirimin e hapësirave publike në dhjetëra qytete të vendit.

Largimi i Dallëndyshe Bicit vjen në një kohë kur qeveria po përgatit ndryshime ligjore për reformimin e inspektoriateve, duke synuar bashkimin e strukturave vendore dhe qendrore. Kryeministri ka paralajmëruar se këto reforma do të reduktojnë hallkat ndërmjetëse, të cilat sipas tij nuk kryejnë funksione reale në terren.

Deri më tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar se cili do të jetë pozicioni i ardhshëm i Dallëndyshe Bicit në administratë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related