Një protestë është zhvilluar këtë të shtunë pranë TEC-eve lundruese në Vlorë, ku qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë mbledhur për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit.
Protestuesit marshuan drejt zonës ku ndodhen TEC-et, duke mbajtur pankarta dhe duke artikuluar thirrje në mbrojtje të Gjirit të Vlorës dhe mjedisit.
Gjatë tubimit, pjesëmarrësit kërkuan ndërprerjen e projektit, ndërsa në disa momente u dëgjuan edhe slogane me përmbajtje politike, përfshirë thirrjen: “Rama n’burg, Berisha n’burg”, duke shprehur pakënaqësi ndaj klasës politike.
Në zonë ishte e pranishme një numër i konsiderueshëm efektivësh të Policisë së Shtetit, të cilët monitoruan zhvillimin e protestës dhe morën masa për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Deri në këto momente nuk janë raportuar incidente, ndërsa protesta është zhvilluar në mënyrë paqësore. Organizatorët kanë bërë të ditur se kundërshtimi ndaj TEC-eve lundruese do të vijojë edhe në ditët në vijim, duke kërkuar rishikimin e projektit dhe mbrojtjen e mjedisit në Gjirin e Vlorës.
