Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me protestat qytetare dhe deklaratat e fundit të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar këtë të fundit se po përpiqet të diskreditojë protestuesit dhe simbolikën e lëvizjes.
Gjatë një komunikimi në rrjetet sociale, Berisha pretendoi se kryeministri po sulmon pjesëmarrësit në protesta, blogerët dhe influencuesit, në vend që të reflektojë mbi kërkesat e qytetarëve.
Sipas kreut të PD-së, Rama ka përdorur gjuhë përçarëse ndaj figurave të lidhura me protestën dhe ka tentuar, sipas tij, të dëmtojë edhe figurën e ish-luftëtarit të UÇK-së, Tahir Sinani, pas shfaqjes së flamurit të UÇK-së gjatë tubimeve.
Berisha reagoi edhe ndaj përdorimit nga kryeministri të simbolit të flamingos, i cili është bërë identifikues i protestës, duke deklaruar se ai nuk ka të drejtë morale ta përdorë atë.
“Rama mund të stampojë në bluzën e tij Belinda Ballukun, Agaçin, drogën apo kokainën, por kurrë flamingon”, u shpreh Berisha.
Ai akuzoi kryeministrin se, sipas tij, po përpiqet të zbehë mesazhin e protestës përmes ironisë dhe sulmeve ndaj pjesëmarrësve, ndërsa i bëri thirrje të largohet nga detyra.
“Jep dorëheqjen, sepse je armik i të rinjve shqiptarë. Je arrogant dhe cinik, i urren të rinjtë dhe kërkon që ata të largohen nga Shqipëria”, deklaroi Berisha.
Në përfundim, kreu i Partisë Demokratike përsëriti se, sipas tij, protesta qytetare po shpreh pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe se kërkesat e qytetarëve duhet të marrin përgjigje politike.
