Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme serioze në qarkullimin rrugor në disa zona të vendit, duke krijuar vështirësi të mëdha për drejtuesit e mjeteve dhe rritur rrezikun për aksidente.
Situata më problematike paraqitet në aksin interurban Tiranë–Durrës, veçanërisht në zonën pranë karburantit në hyrje të Durrësit, ku prania e madhe e ujit në të dyja anët e rrugës e bën të pamundur qarkullimin normal të automjeteve dhe shkakton bllokime të vazhdueshme.
Për të shmangur trafikun dhe incidentet rrugore, Policia Rrugore ka vendosur devijimin e qarkullimit. Automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës duhet të kalojnë nga Rruga e Plepave, në drejtim të Ndroqit dhe më pas nga aksi Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë.
Ndërkohë, për drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë drejt Durrësit, kalimi do të bëhet nga rruga e universitetit në drejtim të Spitallës dhe më tej nga aksi Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë.
Policia u bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal gjatë drejtimit të mjetit, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të policisë në terren.
