Analisti Erion Murataj ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke vlerësuar se protestat qytetare kanë arritur të tërheqin vëmendjen e institucioneve europiane dhe të sjellin, sipas tij, një ndryshim në perceptimin ndërkombëtar për situatën në Shqipëri.
I ftuar në emisionin “News24 Fundjavë”, Murataj deklaroi se ka pasur komunikim me një eurodeputete, e cila, sipas njoftimit të saj publik, ka mbërritur në Tiranë për t’u takuar me protestuesit dhe aktivistët.
Sipas analistit, rëndësia e zhvillimeve nuk qëndron vetëm te vizita e eurodeputetes, por te fakti që çështjet e ngritura nga protestuesit kanë arritur të diskutohen edhe në institucionet europiane.
“Lajmi nuk është vetëm që një eurodeputete vjen në Tiranë. Lajmi është që Shqipëria shkoi në Parlamentin Europian, sipas meje, për shkak të kësaj proteste. Kjo protestë e ka nxjerrë ‘mbretin’ shqiptar lakuriq në sytë e Europës,” u shpreh Murataj.
Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, perceptimi ndërkombëtar ndaj zhvillimeve në Shqipëri ka ndryshuar dhe se tashmë është më e vështirë që vendimmarrje të rëndësishme të bëhen pa marrë parasysh interesin publik.
“Askush më nuk e çon ndërmend që në Shqipëri mund të vijë e të bëjë pazar me një individ për fatet dhe në kurrizin e një kombi,” deklaroi ai.
Në përfundim, Murataj theksoi se, sipas tij, zhvillimet aktuale nuk përbëjnë ende zgjidhjen përfundimtare, por përfaqësojnë një hap të rëndësishëm që duhet të pasohet me angazhim më të madh në raport me Bashkimin Europian.
“Ky nuk është fundi i procesit dhe as zgjidhja më e mirë e mundshme, por është një zhvillim i rëndësishëm. Hapat e tjerë do të duhet të ndërmerren edhe në raport me Europën,” përfundoi analisti.
