Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas publikimeve që lidhen me librin “Albanian Files”, duke ngritur akuza politike ndaj qeverisë dhe duke kërkuar hetim të plotë mbi kontratat publike të lidhura me studio të huaja arkitekture.
Përmes një reagimi publik, Këlliçi pretendoi se disa arkitektë ndërkombëtarë të angazhuar në projekte në Shqipëri kanë mbajtur, sipas tij, qëndrime politike në favor të qeverisë dhe kundër opozitës.
Sipas deputetit demokrat, disa prej këtyre studiove kanë paraqitur në shkrimet e tyre Partinë Demokratike si një forcë “ish-komuniste”, një vlerësim që ai e cilësoi të pavërtetë dhe të motivuar nga interesa ekonomike.
“Arkitektët e Edi Ramës me të cilët ai ka projektuar ndarjen e plaçkës në Shqipëri, qenkan shndërruar papritur të gjithë në patronazhistë. Në shënimet dhe shkrimet e tyre, pjesë e ‘Albanian Files’, sulmojnë vazhdimisht Partinë Demokratike dhe lartësojnë Partinë Socialiste dhe kryeministrin Rama”, u shpreh Këlliçi.
Ai pretendoi gjithashtu se kontratat publike u janë dhënë vazhdimisht personave të afërt me qeverinë dhe kërkoi transparencë mbi mënyrën e përzgjedhjes së tyre.
“Projektet korruptive apo etja për të përfituar para publike i kanë shndërruar këto studio në organizata patronazhimi të Partisë Socialiste. Këto kontrata dhe këto klientelizma meritojnë transparencë dhe hetim të plotë”, deklaroi ai.
Në reagimin e tij, Këlliçi përmendi edhe arkitektin holandez Reinier de Graaf, duke iu referuar deklaratave të mëparshme të tij për sistemin politik në Shqipëri, të cilat i cilësoi të papranueshme.
Deputeti demokrat paralajmëroi se opozita do të kërkojë llogari në Kuvend për kontratat e lidhura me studiot e huaja të arkitekturës.
“Ne në Parlament do të ngremë zërin dhe do të kërkojmë llogari. Si janë dhënë këto projekte, si janë afruar këto studio dhe pse miqtë e kryeministrit rezultojnë gjithmonë fitues”, përfundoi Këlliçi.
