Kryeministri Edi Rama do të drejtojë paraditen e së shtunës një mbledhje të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku pritet të marrin pjesë edhe anëtarë të kabinetit qeveritar.
Sipas informacioneve të publikuara nga gazetari Muhamed Veliu, mbledhja do të hapet nga kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, ndërsa më pas do të mbahet fjala e kryeministrit Rama.
Në rendin e ditës, pika e parë parashikon një informim mbi përfundimet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE dhe ecurinë e procesit të negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Deputetët socialistë do të kenë mundësi të parashtrojnë pyetje, me një kohëzgjatje prej dy minutash secili.
Një tjetër çështje e rëndësishme në agjendë lidhet me paketën e ligjeve që konsiderohen pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe investimeve të debatueshme në zonën e Zvërnecit dhe interesit të shprehur për zhvillime turistike në ishullin e Sazanit, tema që kanë shkaktuar debat publik dhe protesta gjatë javëve të fundit.
Gjithashtu, Arbjan Mazniku pritet të raportojë mbi ecurinë e reformës territoriale dhe diskutimet e zhvilluara deri tani në këtë proces.
Në vijim, Taulant Balla do të paraqesë një raport mbi detyrat e lëna nga mbledhjet e mëparshme të grupit parlamentar, përfshirë vlerësimin e performancës së deputetëve socialistë.
Mbledhja do të mbyllet me fjalët përfundimtare të Edi Ramës dhe Taulant Ballës.
Interes i veçantë mbetet nëse kryeministri do të komentojë zhvillimet e fundit politike brenda mazhorancës, përfshirë qëndrimet e deputetes Marjana Koçeku pas largimit nga grupi parlamentar socialist, si dhe debatet e fundit të shkaktuara nga reagimet publike të Elisa Spiropali lidhur me protestat qytetare.
