Kalaja kallëzon Ballukun në SPAK: “30 mijë m² tokë publike u dhanë me 120 euro qira në muaj për parqe fotovoltaike”

Data

Avokatja Adriana Kalaja ka depozituar në SPAK një kallëzim të ri penal ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kryebashkiakut të Fierit Armando Subashi dhe drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Maksim Ethemaj.

Në një deklaratë për mediat para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, Kalaja pretendoi se një sipërfaqe prej 30 mijë metrash katrorë tokë publike është dhënë me qira për vetëm 120 euro në muaj, me qëllim ngritjen e parqeve fotovoltaike përmes kompanive që ajo i cilëson si fiktive.

Sipas saj, në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë familjarë dhe bashkëpunëtorë të zyrtarëve publikë, ndërsa aksionet e kompanive janë transferuar për shuma simbolike tek shoqëria “4AM”, e cila më pas ka përfituar kontrata dhe tenderë publikë me vlera të konsiderueshme.

Kalaja deklaroi se në kallëzim janë paraqitur dokumente dhe prova që, sipas saj, kërkojnë një hetim të thelluar nga SPAK për vepra të mundshme penale si korrupsioni pasiv, pastrimi i produkteve të veprës penale, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm dhe përfitimi i paligjshëm.

Ajo pretendoi se motra e Maksim Ethemajt ka shitur aksionet e një kompanie për një vlerë minimale, ndërsa më pas kompania blerëse ka përfituar kontrata pranë institucionit që drejtohej nga Ethemaj.

“Publiku duhet të kuptojë përmasat e këtij abuzimi. Një sipërfaqe prej 30 mijë metrash katrorë është dhënë me qira mujore vetëm 120 euro”, deklaroi Kalaja, duke shtuar se kjo çështje duhet të shërbejë edhe për hetime të mëtejshme pasurore ndaj personave të përfshirë.

Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Belinda Balluku, Armando Subashi apo Maksim Ethemaj lidhur me këto pretendime. Gjithashtu, SPAK nuk ka bërë publik ndonjë njoftim për regjistrimin ose jo të këtij kallëzimi.

Sipas parimit të prezumimit të pafajësisë, të gjithë personat e përmendur konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related